Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama se po bllokon ndërtimin e objektit të kësaj ministrie.
Në një postim në Facebook, Peci ka thnëë se sot është dita e 73-të nga dita e paraqitjes së kërkesës dhe dita e 42-të e kalimit të afatit kohor që Përparim Rama ka mohuar pajisjen e MBPZHR-së me kushtet e ndërtimit të objektit.
“Përkundër dhjetra takimeve dhe shkresave zyrtare duke përfshirë emailin direkt në adresë të tijën, ne mbesim të bllokuar me arsyet banale dhe fiktive të zyrtarëve komunal të llojit të: I është sëmurë babai njërit prej zyrtarëve; Zyrtari kompetent është në pushim vjetor, Kemi bërë disa lëshime teknike, javën tjetër ua lëshojmë; Zyrtarit i është sëmurë kunata; e kështu me rradhë”, ka shkruar Peci.
Ministri ka shtuar “Rikurtojmë se Përparim Rama dhe Ekzekutivi i Komunës së Prishtinës ka zvarritur në vazhdimësi përgjegjësitë ligjore të cilat iu takojnë karshi kërkesave tona respektivisht të MBPZHR-së, siç janë përgjegjësitë ndaj aksioneve të inspektorëve”
Peci ka theksuar se bllokimi i ndërtimit të Objektit të MBPZHR-së, ndër të tjerat mohon përfitimin e 160 milionë eurove për bujqësinë vetëm në vitin e parë nga akreditimi në IPARD, si dhe liron buxhetin e shtetit nga barra e qirasë së lartë.
“Njëherit ky objekt do të akomodojë zyrtarët e institucionit tonë dhe agjencive përkatëse ekzekutive. Përparim, hap krahun përparimit të Kosovës”, ka shkruar Peci. /Telegrafi/