Në javën e pestë, vala e gripit në Shqipëri ka shënuar rënie.
Grafiku i bërë publik nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) tregon se janë 891 raste më pak bazuar në hetimin epidemiologjik dhe konsultat me mjekët e familjes nga të gjitha qendrat shëndetësore në vend.
Prirja në kohë e infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme paraqet ulje për të gjitha grupmoshat krahasuar me një javë më parë.
Grupvirozat që qarkullojnë në vend prej disa javësh, siç janë nëntipi i virusit A, H3N2 si dhe gripi i tipit B janë manifestuar me temperaturë të lartë.
Më të prekurit kanë qenë fëmijët deri në 4 vjeç, ku dhe incidenca e infeksioneve respiratore ka qenë me e madhe. Më pak e prekur ka qenë grupmosha nga 14–44 vjeç.
Ajo që vihet re nga hetimi epidemiologjik në vend është se nuk kanë munguar rastet me varicelë apo sikundër njihet ndryshe “lia e dhenve”, ku kryeson Tirana me 17 raste.
Sikundër ishte parashikuar më herët nga mjekët dhe specialistët e shëndetit publik, kurba e valës ka nisur dishezën në këtë fillimshkurt, ndërsa vijon të bëhet thirrje për vaksininim falas ndaj gripit.
Edhe pse është shënuar një ulje e lehtë e rasteve me virozat stinore, viruset vazhdojnë të qarkullojnë me të njëjtin intensitet të lartë.
ISHP-ja bën thirrje të vazhdueshme jo vetëm për vaksinimin, por edhe për kujdes të shtuar për sa i takon higjienës personale.