Site icon Telegrafi

Përkujtohet masakra e Burimit, asnjë i dënuar për vrasjen e 42 shqiptarëve

Sot në Malishevë, është përkujtuar masakra e Burimit, ku u vranë dhe u masakruan 42 civil shqiptarë, kryesisht banorë të Dragobilit dhe Astrazupit.

Për ta përkujtuar këtë masakër, më të madhen në Komunën e Malishevës, gjatë luftës së fundit, Kuvendi i Komunës së Malishevës, ka mbajtur një mbledhje përkujtimore, dhe më pas janë bërë homazhe tek varrezat e të vrarëve dhe në vendin e vrasjes, tek “vrella e Mëhillit “ në Burim.

Në këtë përkujtim, u kërkua dënimi i autorëve dhe urdhërdhënësve, të cilët vranë dhe masakruan 42 shqiptar.

Në fjalimin e rastit, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, tha se “të gjithë këta, dhe shumë të tjerë të vrarë, ranë për lirinë që ne sot e gëzojmë”, transmeton Telegrafi.

“Në këtë masakër, më të madhen brenda një dite, në territorin e Komunës së Malishevës, u vranë, pleq, të rinj, intelektual e bujq, u dogjën dhe u zhdukën shumë banorë të Dragobilit dhe Astrazupit”, tha kryetari Begaj, duke e kujtuar ngjarjen më të dhimbshme, të 31 marsit të vitit 1999, masakër e cila u bë në shenjë hakmarrje ndaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullatës shqiptare dhe në kuadër të zbatimit të planit të shtetit serb, të gjenocidit mbi popullatën shqiptare.

Ndërsa kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës, Aziz Thaçi, duke folur në këtë mbledhje përkujtimore, kujtoi se “për këtë masakër, ku u vranë, u masakruan, disa u dogjën, të tjerë që u zhdukën pa gjurmë, nuk u zhvillua asnjë gjykim dhe nuk u dënua askush, edhe pse dikush mbanë përgjegjësi”.

“Kjo masakër, lëkundi vlerat e civilizimit dhe ata që bënë këtë masakër, duhet të dënohen nga gjykatat vendore apo ato ndërkombëtare”, tha kryesuesi Thaçi.

Në këtë mbledhje, kujtime ka evokuar edhe i mbijetuari i vetëm, Nuredin Morina, i cili kërkoi që kjo të mos harrohet dhe të dënohen ata që bënë këtë krim mbi popullatën e pafajshme.

“Vetëm Zoti e din se si kam shpëtuar, por kërkoj që kjo të mos harrohet”, u shpreh Morina, i cili i falënderoi të gjithë të pranishmit, në këtë mbledhje përkujtimore. /Telegrafi/

Exit mobile version