Për shkak të numrit të lartë të të prekurve nga gripi, KSI rekomandoi disa masa: Ndalohen vizitat nga jashtë për pacientët që janë të shtrirë në spitale, nëpër institucione shëndetësore obligohet mbajtja e maskave, distancë ku ka mundësi dhe dezinfiktimi i duarve.
Këto masa i miratoi Ministria e Shëndetësisë, për parandalimin e përhapjes më të madhe të gripit. Mjeku Sedat Lumani thotë se te qytetarët është krijuar panik që nga Covidi, por thotë se simptomat e gripit janë të zakonshme dhe e vetmja mbrojtje është imunizimi me vaksina për grip.
“Të gjithë njerëzit që kanë kollë ose temperaturë, alarmojnë dhe vijnë menjëherë te mjeku, ndoshta edhe gabim është ajo sepse virusi si paraqitet ashtu edhe kalon, kohëzgjatja e një virusi ose gripi sezonal është prej në pesë deri në shtatë ditë, por ndonjëherë di që të dëmtohet mukoza e organeve të sipërme të frymëmarrjes, e cila mund të vazhdojë me një simptomë kollitje deri në dy tre javë, e kjo i brengos njerëzit, e duke dashur që t’u kalojë sa më shpejtë teprohet me terapi, terapia është simptomatologjike, ilaç për gripin sezonal nuk ekziston, përveç imunizimit me vaksina”, tha Sedat Lumani.
Nga Instituti i Shëndetit Publik njoftojnë se në javën e gjashtë të këtij viti janë regjistruar 2.880 raste të reja me grip.
“Gjatë javës së gjashtë të këtij viti janë regjistruar 2.880 raste të reja me grip, që është pesë për qind më pak krahasuar me javën paraparke, por 53 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”, thotë Instituti i Shëndetit Publik
Numri i përgjithshëm i rasteve të raportuara që nga fillimi i sezonit ka arritur në 11.614, me më së shumti raste në Shkup, ndërsa incidenca më e lartë është shënuar në Dibër. Fëmijët nën katër vjeç janë më të prekurit, me shkallën më të lartë të incidencës së regjistruar. Të gjitha këto të dhëna tregojnë se aktiviteti i gripit në vend është në nivele të larta, sipas raportit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik./TV21/