Dëshmitari i dytë i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, është dëgjuar tërësisht në seancë private.
Pas përfundimit të intervistimit nga prokuroria, ai është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së viktimave, të cilat gjithashtu nuk kanë qenë të hapura për publikun.
Në ditët të vijim, dëshmitari i mbrojtur që mban kodin W02652, do të përgjigjet në pyetjet e avokatëve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë kërkuar deri në 12 orë kohë për intervistimin e këtij dëshmitari.
Një pjesë e dëshmisë së këtij dëshmitari është dëgjuar në seancë publike të hënën.
Para trupit gjykues në Hagë ai është prezantuar si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ka folur për aktivitetin e këtij subjekti në Malishevë, nga viti 1990, transmeton KP.
Dëshmitari i mbrojtur ka thënë se ishte kyçur në UÇK dhe sipas tij, në të njëjtën kohë kishte ushtruar edhe aktivitetin e tij në LDK.
Sipas tij, UÇK dhe LDK nuk kishin raporte shumë të mira.
Ai ka pretenduar se shtabi i UÇK-së në Malishevë bënte presion që LDK të pushonte aktivitetin e saj në atë pjesë.
Megjithatë, tutje dëshmitari ka deklaruar se një pjesë e madhe e UÇK-së i njihte institucionet e atëhershme të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën e LDK-së.
Para këtij dëshmitari, ditë më parë në gjykatore ka dëshmuar dëshmitarja e parë e ZPS-së por seancat janë mbajtur private.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.