Site icon Telegrafi

Arrestimi i pjesëtarit të FSK-së në rastin e vrasjes së Liridona Ademaj-Murseli, ministri Maqedonci: Të gjithë të përfshirët në rast duhet të marrin dënimin meritor

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka reaguar pas vrasjes së Liridone Ademaj-Murseli, e cila u vra më 29 nëntor.

Ministri thotë se është i tronditur nga ngjarja tragjike dhe zhvillimet rreth zbardhjes së rastit, ku njëri nga të dyshuarit për vrasjen e saj është një pjesëtar i FSK-së, transmeton Telegrafi.

“I tronditur kam përcjellur ngjarjen e fundit tragjike, atë të vrasjes së Liridona Ademaj. Ndërkohë që zhvillimet e fundit rreth zbardhjes së rastit kanë sjellur një situatë makabër në publik, para pak çastesh jam informuar për arrestimin e një pjesëtari të FSK’së në lidhje me rastin. Të gjithë të përfshirët në rast duhet të marrin dënimin meritor ndërsa deri në zbardhjen e plotë të rrethanave, ndaj pjesëtarit të FSK’së do të veprohet në përputhje me rregulloret e FSK-së”, thekson Maqedonci.

Lexo po ashtu Vrasja e Liridona Murselit: Bashkëshorti që pranoi se ka porositur likuidimin - reagimet dhe krejt çfarë dihet deri më tani

Tutje, ministri ka ngushëlluar familjen, të afërmit dhe gjithë qytetarë e prekur nga vrasja e Liridona Ademajt.

Ndryshe, në ditën kur është varrosur Liridona Ademaj-Murseli e vrarë të mërkurën mbrëma në Prishtinë, janë arrestuar tre persona të dyshuar për kryerjen e krimit, ndër ta edhe bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, i cili ka pranuar se ka paguar për vrasjen e Liridonës.

30-vjeçarja Liridona Murseli u privua nga jeta derisa ishte në veturë me bashkëshortin e saj, Naim Murseli, dhe dy fëmijët. Ngjarja tragjike ndodhi të mërkurën, 29 nëntor, rreth orës 20:20 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. /Telegrafi/

Exit mobile version