Site icon Telegrafi

Përdoruesit e DeepSeek në SHBA mund të përballen me gjobë miliona dollarëshe dhe burgim sipas ligjit të ri

Një ligj i propozuar së fundmi mund t’i bëjë njerëzit në SHBA të përballen me gjoba të konsiderueshme apo edhe me burg, për përdorimin e aplikacionit kinez të AI DeepSeek.

Projektligji, i paraqitur nga senatori republikan Josh Hawley, synon “të ndalojë personat e Shteteve të Bashkuara të avancojnë aftësitë e inteligjencës artificiale brenda Republikës Popullore të Kinës dhe për persona të tjerë”, transmeton Telegrafi.

Ligji i propozuar do të parandalonte importimin e “teknologjisë ose pronës intelektuale” të zhvilluar në Kinë, ku kushdo që shkel kufizimet do të përballet me 20 vjet burg.

Individët gjithashtu mund të gjobiten deri në 1 milion dollarë, ndërsa për bizneset mund të arrijë deri në 100 milion dollarë.

Edhe pse nuk e përmend DeepSeek me emër, kjo ndodhë vetëm një javë pasi chatbot kinez u bë aplikacioni më i popullarizuar i AI në SHBA, duke shkaktuar rënien e stoqeve të teknologjisë në SHBA.

Popullariteti i tij i papritur nxiti shqetësime për sigurinë, privatësinë dhe etikën, duke përfshirë paaftësinë e DeepSeek për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth temave të ndjeshme për Partinë Komuniste Kineze.

Presidenti i SHBA, Donald Trump e përshkroi aplikacionin kinez si një “thirrje zgjimi” për industrinë amerikane të teknologjisë, me Shtëpinë e Bardhë që raportohet se vlerëson ndikimet e DeepSeek në sigurinë kombëtare.

Marina e Shteteve të Bashkuara i ka ndaluar anëtarët e saj që të përdorin DeepSeek, për detyra të lidhura me punën ose për përdorim personal, ndërsa NASA e ka ndaluar teknologjinë e AI në pajisjet dhe rrjetet e lëshuara nga qeveria.

Disa shtete kanë sinjalizuar gjithashtu se po mendojnë për një ndalim të DeepSeek. Teksasi u bë i pari që zbatoi një ndalim për pajisjet qeveritare.

“Teksasi nuk do të lejojë Partinë Komuniste Kineze të depërtojë në infrastrukturën kritike të shtetit tonë përmes AI dhe aplikacioneve të mediave sociale për grumbullimin e të dhënave”, tha guvernatori i Teksasit, Greg Abbott. /Telegrafi/

 

Exit mobile version