Për herë të parë, dy aktorë të komunitetit LGBTI janë të nominuar në të njëjtin vit në mbrëmjen e madhe të çmimeve “Oscars”.
Në vitet 1990, kinemaja e komunitetit LGBTI konsiderohej një interes i skajshëm, i kufizuar në festivalet e filmit dhe zinxhirët e kinemasë artistike, me përjashtim të disa filmave, shkruan BBC.
Por gjërat kanë ndryshuar në Hollywood në dekadat e fundit, duke reflektuar një ndryshim më të gjerë në qëndrimet brenda shoqërisë perëndimore. Çmimet nganjëherë konsiderohen si një metrikë jo e besueshme për cilësinë, por ato priren të pasqyrojnë gjendjen sociale bashkëkohore. Nuk është për t’u habitur, pra, që ndërsa publiku po pranon më shumë identitetet dhe marrëdhëniet LGBTI, më shumë filma që pasqyrojnë historitë e njerëzve LGBTI janë vënë në qendër të vëmendjes së çmimeve.
Ndërsa tregimet LGBTI janë bërë gjithnjë e më në modë, aktorët e hapur të këtij komuniteti janë përjashtuar pothuajse tërësisht nga shqyrtimi i çmimeve për 20 vitet e fundit.
Megjithatë gratë e komunitetit LBGTI kanë dalë pak më mirë: Angelina Jolie, e cila është deklaruar hapur si biseksuale, fitoi çmimin ‘Aktorja më e mirë në rol dytësor’ për rolin e saj në “Girl, Interrupted” (1999), dhe më vonë u nominua për çmimin ‘Aktorja më e mirë në rol kryesor’ për rolin në filmin “Changeling”.
Megjithatë, që nga nominimi i Joliet, Lady Gaga, e cila gjithashtu identifikohet si biseksuale, ishte i vetmi person i komunitetit LGBTI që mori ndonjë vlerësim të performancës – deri më tani.
Sado i mjerueshëm është ky rekord, kjo është arsyeja pse “Oscars 2022” janë relativisht të veçanta në këtë aspekt, me jo një, por dy aktore të komunitetit LGBTI që janë nominuar për çmime: Kristen Stewart për çmimin ‘Aktorja më e mirë’ për rolin e Princeshës Diana në filmin “Spencer” dhe aktorja Ariana DeBose për çmimin ‘Aktorja më e mirë në rol dytësor’, për rolin e saj në filmin “West Side Story”.
Stewart identifikohet si biseksuale, dhe DeBose si ‘queer’, dhe është hera e parë që dy interpretues të hapur të komunitetit LGBTI janë nominuar në të njëjtin vit.
Nëse njëra prej tyre fiton, kjo do t’i bënte ato një nga aktoret e parë LGBTI që marrin një çmim “Oscar”, dhe nëse të dyja do të fitonin, kjo do të ishte vërtet historike – parashikuesit janë veçanërisht optimistë për DeBose, aktualisht një favorite e qartë për të fituar çmimin ‘Aktorja më e mirë në rol dytësor’.
Mbrëmja e çmimeve “Oscars” mbahet sonte (e diel) në orën 2:00 pas mesnate (sipas orës lokale), në Teatrin “Dolby” në Los Angeles. /Telegrafi/