Kulla e heroit kombëtar, Isa Boletini, edhe këtë 28 Nëntor ka qenë adresë për shumë shqiptarë. Këtë vit, për herë të parë u festua edhe me organizime të komunës së Zveçanit.
Si çdo nëntor, Gazmend Boletini po pret e përcjell mysafirë të shumtë, të cilët për festën e flamurit erdhën në Boletin.
Festa, sipas stërnipit të heroit kombëtar, këtu kishte filluar me të nisur muaji nëntor.
“Fillimisht me shkollat e Kosovës, e Shqipërisë, pastaj edhe nga Kosova lindore… Besoj që sot pranë varrit të tij, pranë eshtrave të tij, bashkëluftëtarëve të tij, me mijëra mijëra qytetarë sot e nderuan dhe e respektuan veprën dhe jetën e Isa Boletinit dhe kontributin e tij në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë”, ka thënë Boletini.
Nga Tirana në Boletin, erdhi edhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.
“Këta gurë (të kullës së Isa Boletinit) qëndrojnë përherë garanci e identitetit tonë kombëtar, e përkatësisë sonë evropiane, e vendosmërisë tonë për të ndërtuar shoqëri demokratike, evropiane, por të pavarura dhe me liri të pacënuara”,ka thënë Basha.
Me të, ishin edhe një delegacion i deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Ky 28 nëntor, u festua më ndryshe në Boletin. Për herë të parë, organizime u mbajtën edhe nga komuna e Zveçanit, ku prej muajsh udhëheqë një kosovar.
“Me të vërtetë, prej pasluftës për herë të parë është mbajtë manifestimi tek kulla e Isa Boletinit nën patronazhin e kryetarit të komunës. Është një kënaqësi e veçantë për mua… Do të vazhdojmë tash tek varrezat e dëshmorëve në Shipol, në Prekaz, Gllogjan dhe kështu besoj brenda ditës do t’i vizitojmë disa vende”, ka thënë kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.
Në Boletin, gjatë ditës ka qëndruar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, raporton RTVD./Telegrafi/