Nga: Kastriot Dervishi
Udhëtimi i Ismail Qemal Vlorës, nga Stambolli në Vlorë, dhe disa çështje të mëvetësisë
– 2 nëntor 1912, niset nga hotel “Pera” në Stamboll nëpërmjet Detit të Zi dhe mbërrin në Kostancë të Rumanisë.
– 5 nëntor 1912, në Bukuresht.
– 10 nëntor 1912 në Vjenë.
– 12 nëntor 1912 në Budapest.
– 19 nëntor 1912 në Trieste, prej nga niset me anije.
– 21 nëntor 1912 mbërrin në Durrës.
– 27 nëntor 1912 në Vlorë.
– 28 nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar shpall pavarësinë dhe formon qeverinë e përkohshme. Nuk nënshkruan të gjithë delegatët, pasi atë ditë nuk kishin ardhur. Ata që erdhën me vonesë nuk nënshkruan. Kuvendi i mbylli punimet e tij më 7 dhjetor 1912.
Përtej këtyre fakteve, kujtojmë se territori etnik shqiptar, i gjendur në atë kohë si pjesë e Perandorisë Osmane, u sulmua ushtarakisht nga aleanca ballkanike. Lufta e Parë Ballkanike nisi më 8 tetor 1912 me sulmin e Malit të Zi ndaj territorit shqiptar. Kjo luftë përfundoi më 30 maj 1913. Territori shqiptar u pushtua i gjithë, me përjashtim të një trekëndëshi midis Kavajës, Beratit dhe Vlorës. Nga kjo situatë, ndërhynë fuqitë e mëdha, të cilët mbajtën një konferencë ambasadorësh në Londër. Mbrojtën çështjen shqiptare Austro-Hungaria dhe Italia. Ishte kundër Rusia, pak më neutralë Gjermania dhe Britania e Madhe. Kompromisi i arritur ishte se u njoh pavarësia në gjysmën e territorit, për të cilin urdhëroheshin pushtuesit të largoheshin, por u njihej atyre (pushtuesve) gjysma e pushtuar. Më 29 korrik 1913, fuqitë e mëdha njohën shtetin e ri shqiptar, për të cilin dolën garant. Në vitet 1925 dhe 1926 u nënshkruan protokollet e kufirit me Greqinë dhe Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene.
Mësimi i historisë: shqiptarët e zgjidhën pjesërisht me diplomaci çështjen e shtetit të tyre. Zgjidhja qëndronte te lufta dhe kuptimi në kohë i situatave. Me përjashtim të një qëndrese të shkurtër në Kosovë dhe luftimeve të gjata në Shkodër dhe Janinë, nuk u luftua askund tjetër. Madje, në shumë qytete serbët u pritën paqësisht. Kontradiktat e brendshme dhe eksperimentet e shumta, e kanë gërryer në vite shtetin e vogël shqiptar, i cili nuk ka arritur kurrë të konsolidohet, por të mbërthehet gjithnjë nga iluzionet dhe rruga e paqartë ku duhet të ecë.