Site icon Telegrafi

Për operacionet në veri, EULEX: Monitorimi është komponentë esenciale e jona

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), ka dalë me një sqarim sa i përket rolit të këtij misioni mbi operacionet e kryera nga autoritetet e Kosovës në veri të vendit.

Në sqarim thuhet se EULEX-i nuk ka mandat ekzekutiv që nga viti 2018.

“EULEX-i është i mandatuar të ndihmojë fuqizimin e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë me qëllim që ato të jenë të qëndrueshme, llogaridhënëse, dhe të munden të garantojnë në mënyrë efektive të drejtat e secilit, pa diskriminim”.

Në këtë drejtim, EULEX thotë se, monitorimi është komponentë esenciale e mandatit të EULEX-it. Për ushtrimin efektiv të kapacitetit tonë të monitorimit të thuktë, neve na duhet të kemi edhe prezencë fizike në skenën e aktiviteteve që kryhen nga institucionet e Kosovës përgjatë tërë zinxhirit të drejtësisë.

“Kjo nënkupton monitorim në teren si palë e paanshme ndaj qëndrimit dhe veprimeve të autoriteteve të Kosovës, për vlerësimin e përputhshmërisë së tyre me parimet e sundimit të ligjit dhe detyrimet për të drejtat e njeriut, me zotim të qartë kundër çdo forme të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të diskriminimit”, thuhet në sqarim transmeton Telegrafi.

“Gjatë kryerjes së aktiviteteve tona monitoruese, ne respektojmë plotësisht pavarësinë e autoriteteve gjyqësore dhe parimin e mosndërhyrjes; dhe nëse përmes këtyre aktiviteteve monitoruese konstatohen mangësi serioze, Misioni i adreson ato me autoritetet përkatëse përgjegjëse”, thuhet në sqarimin e EULEX-it. /Telegrafi/

Exit mobile version