Kujt i përket lahuta? Kjo është pyetja që po diskutohet më së shumti në rrjetet sociale, pasi disa raportimeve se lahuta është regjistruar si një trashëgimi kulturore e Serbisë. Por, nuk janë vetëm shqiptarët të zemëruar.
Sipas portalit austriak, Kosmo, në Ballkan të gjithë janë të shqetësuar. Mali i Zi po ashtu ka reaguar me zemërim pas hapjes së qendrës kulturore ‘Ivo Andriq’ në Pekin. Gjatë ceremonisë hapëse u luajt me lahutë, por malazezët thonë se ajo është vegla e tyre muzikore.
Për këtë arsye, Ministria e Kulturës e Malit të Zi i ka dërguar një notë proteste Serbisë. Përshkallëzimi i kësaj beteje ka përfshirë politikanë, historianë dhe ekspertë muzike, shkruan Kosmo.
Mitropoliti serb Amfilohije Radoviç e ndezi i pari këtë luftë gjatë 1000-vjetorit të eparkisë në Prizren. Ai luajti me lahutë dhe tha se e bëri këtë për të treguar se kujt i përket kjo vegël në të vërtetë.
“Lahuta është dhe do mbetet serbe. Ajo vjen nga kisha serbe ortodokse prej qindra vitesh”, tha ai.
Kosmo shkruan se Mali i Zi është bashkuar me Shqipërinë, Kroacinë dhe Bosnjen kundër Serbisë.
Edhe pse UNESCO e ka regjistruar si trashëgimi kulturore të Serbisë, këto vende kërkojnë një rishikim të prejardhjes së lahutës, përfundon shkrimi i portalit austriak.