Keqtrajtimi ndaj të moshuarve në Shtëpinë e të Moshuarve “Orenda” në Pejë, ishte lajmëruar edhe në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Qytetari Tomor Hasani, ka bërë të ditur për Telegrafin se me datën 20.09.2021 përmes një e-maili, ka lajmëruar këto keqtrajtime në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Sipas tij, përkundër ankesës që kishte bërë, MPMS nuk kishte marrë masa ndëshkuese.
Madje, ai thotë se as nuk kishte marrë përgjigje nga ministria.
Po ashtu, Hasani thekson se i është bërë presion edhe nga pronari i Qendrës “Orenda”, Anton Rasaj, që ta tërheq ankesën nga ministria në fjalë.
“Fatkeqësisht pas ankesës time nuk është marrë asnjë masë nga institucioni në fjalë. Përkundrazi fëmijëve të familjares time që është e vendosur aty, u është bërë presion nga pronari i kësaj qendre Anton Rasaj, që të më bindin ta tërheq këtë ankesë”, ka thënë Hasani.
Ndërkaq sipas ankesës, e moshuara në qendrën “Orenda”, ishte ankuar se infermieret kanë sjellje të këqija dhe nënvlerësuese.
Kjo kishte ndodhur vazhdimisht gjatë natës kur edhe të moshuarit kishin pasur nevojë për ndihmë./Telegrafi/
VIDEO: Infermierja sulmon fizikisht një grua të moshuar në Pejë