Pep Guardiola ka vendosur dy rekorde të padëshiruara për herë të parë në karrierën e tij si trajner pas barazimit të Manchester Cityt me rezultat 2-2 ndaj Brightonit.
City lëshoi dy herë epërsinë nga duart në barazimin e së shtunës në ‘Etihad Stadium’ dhe autogoli i Abdukodir Khusanov ishte goli i 40-të që kanë pësuar këtë sezon në kampionat.
Kjo njëherësh ishte hera e parë që Guardiola ka pësuar ndonjëherë 40 gola brenda një sezoni të vetëm.
Ky barazim po ashtu do të thotë se Guardiola do të arrijë totalin më të vogël të pikëve të grumbulluara në nëntë sezonet e tij në Angli, edhe nëse City ia del t’i fitojë nëntë ndeshjet e mbetura.
Kjo gjithashtu do të thotë se ai do të dështojë të regjistrojë të paktën dy pikë për ndeshje për herë të parë në karrierën e tij si trajner në Spanjë, Gjermani dhe Angli.
Ky rezultat i dha një goditje të madhe shpresave të Cityt për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve pasi Newcastle do t’i largojë ata nga pesë vendet e para nëse fitojnë ndeshjen më pak.
Sidoqoftë, Guardiola ka ende shpresë që ekipi i tij do t’ia dalë të sigurojë kualifikimin në garën më të madhe në botë për klube.
“Unë kam gjithmonë besim. Unë kam momente kur mund të dyshoj, por e gjej mënyrën. Ne kemi nëntë ndeshje të mbetura dhe nëntë finale”, ka thënë ai./Telegrafi/