Rusia ka pësuar mbi 600,000 viktima që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës, raportoi Defense News më 9 tetor, duke cituar zyrtarë të lartë të Pentagonit.
Shifra vjen në një fazë veçanërisht vdekjeprurëse të luftës për trupat ruse. Sipas raporteve nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, shtatori ishte muaji i dytë më vdekjeprurës për ushtarët rusë që nga shkurti i vitit 2022.
Humbjet e përshpejtuara janë në disproporcion me përfitimet territoriale të Moskës, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane më 9 tetor, transmeton Telegrafi.
“Humbjet ruse, përsëri të vrarë dhe të plagosur në aksion, vetëm në vitin e parë të luftës tejkaluan totalin e të gjitha humbjeve sovjetike në çdo konflikt që nga Lufta e Dytë Botërore së bashku”, tha zyrtari.
Viktimat në rritje në front mund të pengojnë përpjekjet e ushtrisë ruse për rekrutim, tha zyrtari, duke u rritur presioni mbi Kremlinin për të nisur një valë të re mobilizimi.
Presidenti rus Vladimir Putin ka shmangur shpalljen e një fushate më të madhe mobilizimi për shkak të jopopullaritetit të saj të thellë në Rusi.
Ushtria në vend të kësaj ka përdorur rekrutimin e të dënuarve, mobilizimin e rekrutëve të rinj dhe joshjen e ushtarëve me paga dhe përfitime më të larta.
Rusia mund të marrë gjithashtu mbështetje trupash nga Koreja e Veriut, e cila mund të fillojë vendosjen e njësive të rregullta në Ukrainë, tha më 8 tetor Ministri i Mbrojtjes, i Koresë së Jugut. /Telegrafi/