Site icon Telegrafi

Peles i jepet lamtumira e fundit, ai do të prehet në varrezat më të larta në botë

Arkivoli i Peles mbërriti në vendin e prehjes së tij të martën mbrëma, ndërsa miliona tifozë në Brazil dhe në mbarë botën vajtuan legjendën e sportit.

Turma emocionale qëndronte anash, ndërsa arkivoli i legjendës së futbollit brazilian, Pele, u përcoll nëpër rrugët e Santosit me një kamion të zjarrfikësve.

230 mijë qytetarë, përfshirë presidentin e ri të vendit, kaluan para arkivolit të hapur të legjendës për të bërë homazhe.

Arkivoli i “Mbretit” të futbollit mbërriti në Memorial Necropolis Eucumênica de Santos, i konsideruar si varreza më e lartë në botë sipas Librit të Rekordeve Guinness dhe e njohur gjithashtu si “varreza vertikale”.

Është një kullë 14-katëshe, që mban 14 000 varre.

Pele e kishte rezervuar varrin e tij që në vitin 2003 dhe në një intervistë të hershme ai ka shpjeguar se zgjedhja ishte diktuar nga fakti se ndërtesa nuk dukej si një varrezë.

Sipas tij pozicioni i saj ka pamje nga stadiumi “Vila Belmiro”, stadium në të cilit dekada më parë legjenda e futbollit u bë i njohur me bëmat e tij.

Pele do të prehet në një mauzole të projektuar posaçërisht për të prej 200 metrash katrorë dhe që të kujton një stadium futbolli, i kompletuar me bar sintetik.

Exit mobile version