Site icon Telegrafi

Peci: Qeveritë e të së kaluarës kanë abuzuar me fermerët

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka thënë se 18 milionë litra qumësht nga viti 2024 e tutje, do t’i ketë Kosova falë përkrahjes nga Programi për Zhvillim Rural 2023 e që do të hapet së shpejti.

Peci ka njoftuar se ka takuar disa blegtorë, ku kanë treguar për mbështetjen e Qeverisë ndaj tyre.

“Bashkë me zv/ministrin Agon Dobruna gjatë bashkëbisedimit me Luan Markajn nga fshati Korenicë, një blegtor i cili gjatë periudhës së Qeverisjes sonë, falë mbështetjes konkrete institucionale, ka rritur numrin e lopëve qumështore nga 15 në 31 krerë e numrin e viçave për majmëri nga 5 deri në 25 krerë. Krahas fermës, Luani punon zellshëm tokën. Ai ka trefishuar sipërfaqet e mbjella me misër nga 8 hektar në 21ha, ndërsa ka dyfishuar sipërfaqen e mbjellë me grurë nga 5ha në 11 hektar. Gjithsej me tokë të punueshme e kullosa, Luani posedon 120ha”, ka theksuar ai.

Ministri ka shtuar tutje “Kudo, shoh e takoj bujq të zellshëm e mbi të gjitha të kënaqur me punën tonë e kjo më inspiron akoma më shumë që t’i kontribuoj me të gjithë arsenalin si Ministër, drejt zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së sektorit të bujqësisë dhe bujqve meritorë”.

“Gjatë qeverisjes sonë, Ministria është në shërbim të fermerëve! Kemi instaluar meritokraci dhe kemi ri-vendosur besimin e fermerëve në institucione duke larë borxhet e të tjerëve që përmes premtimeve boshe kanë mashtruar me vite. Kemi rritur konkretisht përkrahjen financiare e për këtë kemi dëshmitarë bujqit në çdo cep të Kosovës si dhe kemi eleminuar burokracitë e panevojshme duke rritur kontrollin në teren”, ka shtuar tutje ministri.

Peci ka akuzuar qeveritë e kaluara kanë abuzuar me fermerët.

“Qeveritë qyqare të së kaluarës, kanë abuzuar me fermerët duke ua vendosur lakun në fyt e duke ofruar lëmoshë e jo atë se çka kanë merituar. Por kjo i përket së kaluarës ashtu si edhe ata që mundohen të sillen si dikush që nuk janë por i tradhton memoria kolektive”./Telegrafi/

Exit mobile version