Një objekt që gjendet në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë ka nxitur reagime në mes të ministrit të Faton Peci dhe Yll Bogajt, i cili pretendon që prona është e familjes së tij.
Faton Peci me anë të një video ka thënë se objekti është pronë e Institutit Bujqësor të Kosovës dhe se aty janë ndërtuar lokale afariste kundërligjshëm dhe është bërë tjetërsimi i saj.
Derisa Bogaj thotë se kjo pronë është private dhe tashmë është paditur Peci.
“Videoja shantazhuese e Faton Pecit, është vazhdimësi e shantazhit të tij publik që na është bërë tash e një vit të plotë. Për më tepër, kulmi i çdo gjeje ka qenë dje kur kemi pranuar një ‘Vendim’ të Faton Pecit, i cili në mënyrë krejtësisht arbitrare na kërkon që ta lirojmë pronën tonë legale brenda shtatë ditësh, nën kërcënimin e largimit tonë me forcë nga prona jonë private”, thuhet në reagimin e Bogajt në Facebook.
Mirëpo, pas këtij deklarimi ka reaguar ministri i MBPZHR-së, duke thënë se nuk ua ka frikën, siç i ka quajtur ai uzurpatorëve dhe zhvatësve.
“Nuk ia kam frikën uzurpatorëve, zhvatësve e as kriminelëve që Kosovën e duan dhe e shohin si plaçkë! Paradoksi: 700 metra katrorë lokal afarist në pronë të shtetit dhe padi Ministrisë se nuk i din mirë kufijtë! I gjithë oborri i pronës së IBK-së është ndërtim i vrazhdë betoni i shndërruar në depo, ndërsa vazhdon euforia e kërcënimit me padi të Ministrit”, thekson Peci.
Në këtë reagim, i pari i MBPZHR-së ka bashkëngjitur edhe vendimin përmes të cilit obligon pronaren Miradije Bogaj që ta lëshojë pronën brenda një afati një javor.
Peci ka theksuar se ka denoncuar rastin në Prokurori por nuk është marrë asnjë veprim.
“Ftoj organet tjera kompetente në zbatim të këtij vendimi”, ka theksuar Peci.
Ditë më parë, ai kishte paralajmëruar rrënimin e 25 vilave në Stankaj të Pejës, që ka thënë se janë ndërtuar ilegalisht në pronat e Institutit Bujqësor të Kosovës./Telegrafi/