Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi dhe drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, e ka cilësuar si të gabuar kundërshtimin e kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zgjatjen e afatit për targa.
Në një postim në Facebook, Peci ka shkruar se dëshira për të kërkuar më të mirën e dëshiruar por të pamundshme, që nënkupton moskompromisin, në marrëdhëniet ndërkombëtare bëhet armiku më i madh i më të mirës së mundshme.
Ai tutje ka thënë se dënimin më të madh të ia bëjë SHBA-ja Kosovës është të thotë “bëni si të doni vetë dhe unë po tërhiqem”.
“Shikojeni se çfarë i kemi bë vetës që nga kundërshtimi i demarkacionit me Malin e Zi deri më tani. Në vend se të ecim përpara, ne e zgjodhëm të bëjmë si të duam vetëm ne, dhe ja ku jemi, si vendi më i izoluar në Evropë. Mos të harrojmë se vetë presidenti Biden asokohe si nën-President i SHBA-së personalisht është angazhuar që të mbledhim mend, por ne me një krenari të injorantit vazhduam me tonën”.
“Plus ky argumenti se është kundërshtuar Rambujeja dhe plani i Ahtisarit që e solli pavarësinë e Kosovës, pasi është kërkuar me e mira, më së paku që mund të thuhet është infantil. Cilat kanë qenë alternativat e kundërshtimit si të Rambujesë dhe Ahtisarit? Padyshim se ato do ishin mosintervenimi i NATO’s dhe mospavarësimi i Kosovës”, ka shkruar mes tjerash Peci. /Telegrafi/