Site icon Telegrafi

PDK-ja në Shtime, akuzon kryetarin Qemajl Aliun për shkelje ligjore

Subjekti opozitar PDK-ja, dega në Shtime, nëpërmjet një konference për media të enjten, ka akuzuar qeverisjen lokale për shkelje ligjore në administratën komunale. Sipas PDK-së, saktësisht bëhet fjalë për vendimin e Kryetarit të Komunës së Shtimes Qemajl Aliut, me nr. 02/1172 të datës 29.12.2023, për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në administratën komunale, si dhe themelimin e dy drejtorive komunale, i cili vendim është vlerësuar si kundërligjshëm nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Rrahman Jakupi, kryetar i PDK-së në Shtime, ka thënë se ky vendim, i cili prek shumë aspekte të administratës komunale, është në kundërshtim të qartë me Ligjin Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, konkretisht me nenin 58 të këtij ligji, si dhe me nenin 54 paragrafi 4 dhe nenin 56 paragrafi 2 të Statutit të Komunës së Shtimes.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka marrë masa të menjëhershme dhe ka kërkuar nga Kryetari i Komunës së Shtimes që brenda afatit ligjor prej 30 ditëve të rishqyrtojë këtë vendim dhe ta harmonizojë atë me legjislacionin në fuqi. Vendimi i kundërligjshëm i kryetarit të komunës, përveç pasojave financiare ka prodhuar edhe shumë pasoja tjera si: Demotivimin e punonjësve të mirë duke ju zbritur pagat dhe favorizuar militantët e VV-së dhe personave në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje. Diskriminimi ndaj punonjësve të mirë, zbritja e pagave për punonjësit që kanë rritur transparencën dhe kanë fituar grante komunale për komunën e Shtimes”,ka thënë Jakupi.

Sipas Jakupit është është e papranueshme që vendime të tilla të merren pa një konsultim dhe shqyrtim të duhur ligjor. Sipas tij, si qytetarë të këtij vendi, kanë të drejtën të kenë një administratë komunale që respekton dhe zbaton ligjin, një administratë që vepron në përputhje me parimet e qeverisjes së mirë dhe transparencës.

“Në këtë kontekst, dua të bëj thirrje publike për të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë vendim që të marrin seriozisht vërejtjet e dhëna nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe të veprojnë në përputhje me ligjin. Duhet të sigurohemi që aktet dhe vendimet që merren të jenë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, dhe të jenë në interesin më të mirë të qytetarëve”, ka thënë Jakupi.

Ai ka falënderuar zyrtarët e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për punën e tyre profesionale në monitorimin dhe sigurimin e ligjshmërisë së akteve të komunave.

“Ne të gjithë duhet të angazhohemi për një qeverisje lokale të drejtë dhe ligjore, duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët tanë”, ka thënë Jakupi.

Jakupi në fund të kësaj konference ka hedhur poshtë kritikat dhe akuzat e qeverisjes lokale se kinse ish pushteti i kaluar e ka lënë në borxhe të thella këtë komunë.

“Ajo që e ka thënë kryetari i Komunës Qemajl Aliu është një gënjeshtër sepse nuk ekzistojnë borxhe që PDK-ja ka lënë në të kaluarën. Për ta vërtetuar këtë e dëshmojnë dokumentet dhe në mesin e tyre është edhe dokumenti të cilin e ka nënshkruar vetë kryetari i Komunës i cili e tregon të qartë se nuk ka pasur ndonjë ankesë që mund të ketë pasur efekt material në pasqyrat financiare. Kjo dëshmohet edhe nga auditori dhe e dëshmon dhe e demanton vetë kryetarin e komunës së Shtimes lidhur me këtë çështje”, ka thënë Jakupi.

Në anën tjetër, Telegrafi gjatë së enjtes ka bërë përpjekje të marrë një deklaratë nga kryetari i Shtimes Qemajl Aliu, por ai nuk ka qenë i qasshëm, ndërkohë as zyra për informim në këtë komunë nuk u është përgjigjur pyetjeve lidhur me shqetësimet e ngritura nga opozita. /Telegrafi/

 

Exit mobile version