Agjencia Kundër Korrupsionit ka filluar publikimin e regjistrave të deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë publik për vitin 2024.
Sipas deklarimit, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili ka pasuri të paluajtshme në vlerë prej mbi 170 mijë euro.
Në këtë pasuri përfshihet banesa në vlerë 100 mijë euro, shtëpia e trashëguar, garazhda, depoja dhe toka.
Ai poashtu posedon edhe një veturë që është në pronësi të bashkëshortes në vlerë 20 mijë euro.
Ismaili në formularin e deklarimit thotë se ka të hyra neto vjetore mbi 58 mijë euro.
Në formularin e tij, Ismaili ka deklaruar se ka mbi 40 mijë euro kursime, të cilat janë edhe në emër të bashkëshortes dhe fëmijëve.
–
Në emër të detyrimeve, guvernatori i BQK-së thotë se ka mbi 50 mijë euro kredi për blerje të banesës dhe pagesë të shërbimeve tjera.
Ilir Murtezaj si drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës thotë se ka pasuri të paluajtshme rreth 188 mijë euro.
Ai në formular tregon se posedon dy vetura në vlerë të përgjithshme prej 23,600 euro, ku njëra është në emër të bashkëshortes.
Murtezaj thotë se ka mbi 9 mijë euro detyrime për blerje të banesës, ndërsa të kursyera bashkë me bashkëshorten e fëmijët ka rreth 8,500 euro.
–
I pari i ATK-së, ka deklaruar se ka letra me vlerë në Winer Stadtiche në vlerë prej 10,800 euro.
Të hyrat vjetore nga pagat, ai ka deklaruar rreth 24 mijë e 600 euro.
Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugalliu, sipas asaj që ka deklaruar ka pasuri të paluajtshme prej rreth 107 mijë e 500 euro ku përfshihet një banesë e dy ara.
Ai poashtu së bashku me bashkëshorten posedojnë dy vetura në vlerë të përgjithshme 16 mijë euro.
–
Sa i përket parave të gatshme, ai ka deklaruar se ka të kursyera 6 mijë e 400 euro.
Llugaliu thotë se të hyrat vjetore nga pagat e tij dhe të bashkëshortes dhe pensionit të prindit janë rreth 35 mijë euro, ndërsa detyrime financiare ka rreth 11 mijë euro në emër të blerjes së veturës./Telegrafi/