Ambasador i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, gjatë vizitës në Luginën e Preshevës, ka takuar kryetarin e Preshevës, Shqiprim Arifin.
Hill është njoftuar nga afër rreth sfidave të qytetarëve të Luginës.
Para gazetarëve, Hill ka thënë se do të shohë se çfarë mund të bëjë lidhur me adresimin e problemeve të shqiptarëve në Serbi.
“Ne kemi pasur një diskutim të detajuar dhe kryetari më ka njoftuar në detaje rreth problemeve të qytetarëve në Preshevë. Do të kthehem në Beograd dhe më lini të mendoj dhe të shoh se si mund të jem i dobishëm por mendoj se është shumë e rëndësishme se njerëzit e kanë të qartë në atë çfarë e thonë dhe çfarë kërkojnë”, ka deklaruar Hill.
Ndërkaq, kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka thënë se shqiptarët e Luginës kanë një diskrepancë mes asaj që kanë minoritetet e tjera në rajon në të drejtat e barabarta.
“Ne duam të kontribuojmë por me një kërkesë që të drejtat tona në Luginë të Preshevës të respektohen, të garantohen ashtu siç i garantohen të gjitha minoriteteve në rajon dhe te ne jo vetëm që të garantohen dhe respektohen por edhe të shtohen edhe në atë aspektin e sasisë sepse ne kemi mangu në drejtat tona në jetën tonë. Na kemi mangu edhe në investimet nga Qeveria Serbe në Luginë të Preshevës”, u shpreh Arifi.
Tutje foli edhe për pasivizimin e adresave për të cilën ka thënë se ka qenë temë e veçantë që ka folur me ambasadorin Hill.
“Kjo ka qenë kërkesa ime dhe këtu ka zënë shumë vend plani shtatë pikësh i cili duhet të kontekstualizohet në ditët e sotme sepse është plan më i vjetër po i cili në parim i përmban kërkesat tona për ta krijuar një kualitet të jetës në Luginë të Preshevës përveç asaj të pasivizimit e cila ka qenë një temë e veçantë e jona për të cilën e informova në detaje ambasadorin dhe i cili me këtë çështje tash shpresojmë të kthehet në Beograd”, ka deklaruar Arifi./Telegrafi/