LDK kundër Vetëvendosjes, thotë se po tenton të manipulojë votën e diasporës.
Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar tri ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në momentet e fundit të afatit ligjor, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Kërkesat e Vetëvendosjes përfshijnë anulimin e 18 mijë votave me postë të LDK-së, rivotim të votave me postë për diasporën dhe eliminimin nga lista të kandidatit për deputet Hysen Çekaj.
Ndaj këtyre ankesave ka reaguar menjëherë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), duke e cilësuar këtë veprim si përpjekje për të cenuar vullnetin e lirë të votuesve në diasporë.
“Vetëvendosje kërkon anulimin e votave me postë të mërgatës sonë për LDK-në, vetëm pse nuk u pëlqen rezultati. Kjo përpjekje për të cenuar vullnetin e lirë të votuesve tanë në mërgatë përbën një akt të rrezikshëm ndaj integritetit demokratik të procesit zgjedhor.
Pikërisht përfaqësuesit politikë të kësaj partie, të emëruar nëpër ambasada dhe konsullata, janë ata që kanë ndërhyrë dhe manipuluar votat e diasporës në zyra e korridore. Mbi 1.600 fletëvotime të kësaj partie, të printuara me të njëjtat gabime teknike, dëshmojnë qartë një manipulim të organizuar. Për më tepër, ka prova të shumta mbi vetë-inkriminimin publik të aktivistëve të Vetëvendosjes në mbushjen masive të fletëvotimeve të mërgatës. Nëse duhet të shqyrtohet anulimi i ndonjë vote për shkak të parregullsive, pikërisht këto raste duhet të jenë objekt i një hetimi të plotë dhe të paanshëm,” ka deklaruar Zyra e Informimit e LDK-së.
LDK po ashtu e ka cilësuar hipokrite kërkesën e Vetëvendosjes për anulimin e votave të diasporës shqiptare, duke kujtuar se në vitin 2019, kjo parti kishte mbrojtur mbi 4.000 zarfe të ardhura nga “mërgata” serbe, duke kërkuar në Gjykatën Supreme që ato vota të pranoheshin si të rregullta.
“E njëjta parti sot kërkon anulimin e votave të diasporës shqiptare – natyrisht, vetëm atyre që janë në favor të LDK-së – dhe, njëkohësisht, synon të ndalojë kandidimin për deputet të z. Hysen Çekaj, djalit të heroit të kombit, Sali Çekaj.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet demokratike për të mbrojtur integritetin e votës së saj, brenda dhe jashtë vendit. Nuk do të lejojmë që vullneti politik dhe demokratik i mërgatës sonë të cenohet sa herë që rezultati zgjedhor nuk përputhet me interesat e Vetëvendosjes,” përfundon reagimi i LDK-së.
Situata paszgjedhore mbetet e tensionuar, ndërsa pritet vendimi i PZAP-it lidhur me ankesat e dorëzuara./Telegrafi/