Alvaro Morata njoftoi se është ndarë nga gruaja e tij, Alice Campello, në një deklaratë në rrjete sociale.
Ish-sulmuesi i Chelseat dhe Real Madridit ka qenë me partneren e tij për shtatë vjet dhe ata kanë katër fëmijë.
Morata, 31 vjeç, u martua me Alice, 29 vjeçare, në Itali në vitin 2017.
Vetëm dy javë më parë, çifti postoi disa fotografi të përbashkëta nga pushimet pas Kampionatit Evropian.
Dhe Alice u shfaq vazhdimisht në fushë duke e përkrahur partnerin në Euro 2024, ndërkohë që Spanja u shpall edhe fituese.
Në një deklaratë në Instagram, Morata tha: “Pas një periudhe reflektimi, Alice dhe unë kemi marrë vendimin për t’u ndarë”.
“Ishte një marrëdhënie e mrekullueshme me respekt të ndërsjellë në të cilën ne e kemi dashur dhe e kemi ndihmuar shumë njëri-tjetrin”.
“Kemi kaluar vite të mrekullueshme dhe kemi katër fëmijët tanë për të treguar për këtë, që është pa dyshim gjëja më e mirë që kemi bërë ndonjëherë”, shton mes tjerash.
“Është një vendim i dhimbshëm, pas të cilit kërkojmë respekt dhe ndjeshmëri”.
Në fund, ylli i futbollit theksoi: “Ju lutemi mos shpikni thashetheme, sepse e përsëris – nuk ka pasur tradhti, vetëm keqkuptime të vazhdueshme që i kanë konsumuar pak nga pak gjërat”.
“Alice do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time dhe koha që kemi kaluar së bashku ka qenë e jashtëzakonshme dhe një përvojë e shkëlqyer”.
Morata nga ana tjetër së fundmi ka nënshkruar për AC Milan nga Atletico Madrid. /Telegrafi/