Telegrafi

Pas bllokimit të xhirollogarive të Telekomit, Hoti: Do të ndërmarrim veprime të shpejta për ta stabilizuar gjendjen

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se gjendja e krijuar në Telekomin e Kosovës është i nevojshëm që të intervenohet në këtë ndërmarrje.

Ai me anë të një shkrimi në Facebook, ka treguar se do të merren veprime konkrete për të kthyer rregullsinë në ndërmarrje publike.

“Do të ndërmarrim veprime të shpejta për të kthyer rregullsinë në ndërmarrje publike, si dhe për tu siguruar se pasuria dhe afarizmi i tyre mirëmbahen dhe rriten. Gjendja e krijuar në Telekomin e Kosovës është treguesi më i mirë i nevojës për intervenim, në përputhje me ligjin, të Qeverisë si aksionar i kësaj ndërmarrje. Një ndërmarrje që i ka sjell shtetit miliona euro dividentë, me potencial të madh për afarizëm të suksesshëm, sot është në gjendje të rëndë”, ka shkruar Hoti, përcjell Telegrafi.

Kurse, punëtorët e Telekomit kanë paralajmëruar protesta e greva nëse Qeveria e Kosovës nuk ndërmerr asnjë hap për të zhbllokuar xhirollogaritë dhe kthimin e tyre, të cilat janë bllokuar e tërhequr nga kompania Dardafone.net, kompania amë e Z-Mobile, si pasojë e borxhit ndaj saj.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, i ka bërë thirrje Qeverisë që të angazhohet për zhbllokimin e xhirollogarive, pasi sipas tij është duke u rrezikuar operimi i Telekomit dhe mirëqenia e punëtorëve të kësaj ndërmarrje. /Telegrafi/