Site icon Telegrafi

Pas 352 ditëve, anglezi në përfundim të sfidës për të përshkuar Afrikën me vrap

Përpara se të nisej drejt sfidës së madhe për të përshkuar Afrikën me vrap, Russell Cook shpresonte të mos pendohej.

27 vjeçari nga Anglia tha se kishte luftuar me shëndetin e tij mendor pas abuzimit me alkool, andaj donte “të bënte një ndryshim” në jetën e tij.

Më shumë se 16,400 kilometra, 352 ditë, 16 vende dhe komplikime të panumërta, njeriu me nofkën “Hardest Geezer” ka mbledhur më shumë se 600 mijë euro për bamirësi dhe është gati ta përfundojë vrapimin e tij.

Bëhet e ditur se që kur ai u nis nga Worthing në shkurt të vitit 2023 shumëçka ka ndryshuar, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Plani i tij fillestar për të vrapuar nga Afrika e Jugut për në Tunizi u ndal nga mungesa e vizës algjeriane. Pas një ndryshimi në minutën e fundit, Cook u nis me vrap drejt udhëtimit i cili e dërgoi atë në qytete, pyje tropikale, male dhe shkretëtirën e Saharasë.

Një prej pengesave të tij më të mëdha ishte kur ai u grabit me armë pas 50 ditëve vrap. Atij dhe ekipit mbështetës iu vodhën kamera, telefona, para dhe pasaportat.

Megjithatë, edhe pse me shumë pengesa, vrapuesi u zotua të vazhdojë rrugëtimin.

Gjatë javëve të para, ai pati edhe disa probleme shëndetësore me barkun dhe dhimbjen e përsëritur të shpinës.

Kështu që ai u detyrua të zvogëlojë intensitetin e tij me kërkesë të mjekëve.

“Mu deshën disa ditë për të bërë ekzaminime. Nuk kisha asnjë dëmtim, kështu që mendova se i vetmi opsion i mbetur ishte të merrja qetësues të fortë dhe të vazhdoja”, tha Cook.

Pas 278 ditëve ai u përball me pengesën tjetër e cila nuk ishte gjë tjetër veçse një copë letre – viza algjeriane.

Me anë të një videoje të publikuar në rrjete sociale ai apelonte për vizë. Videoja u pa nga 11 milionë njerëz dhe tërhoqi vëmendjen e Elon Musk dhe deputetëve të ndryshëm.

Vëmendja e madhe që mori u shpërblye pasi ambasada algjeriane njoftoi se ai do ta merrte vizën.

Pas pengesave, gjithçka që e ndante Cook nga finishi ishte shkretëtira e Saharës.

Duke e rritur numrin e kilometrave të përshkuara, ai vendosi të vraponte gjatë natës për shkak të nxehtësisë së fortë dhe stuhive të rërës.

Ndërsa së fundmi, ai do të niset për në pikën më të nxehtë të Tunizisë, ku pas 352 ditëve vrapim do ta përfundoj maratonën e fundit. /Telegrafi/

Exit mobile version