Telegrafi

Partia qeverisëse e Japonisë e goditur nga skandali zgjedh kryeministrin e ardhshëm

Partia në pushtet e Japonisë ka zgjedhur Shigeru Ishiba si udhëheqësin e saj të ri, duke e pozicionuar veteranin politik si kryeministrin e ardhshëm të Japonisë.

Nëntë kandidatë konkurruan për udhëheqjen e Partisë Konservatore Liberale Demokratike (LDP), e cila ka qeverisur Japoninë për pjesën më të madhe të epokës së pasluftës, pasi kryeministri Fumio Kishida njoftoi muajin e kaluar se nuk do të kandidojë më.

Kushdo që emërohet shefi i ri i Partisë Liberal Demokratike (LDP) do të bëhet kryeministër pasi LDP ka një shumicë parlamentare, transmeton Telegrafi.

Ndryshimi i gardës vjen në një kohë të turbullt për partinë, e cila është tronditur nga skandale dhe konflikte të brendshme që shpërndanë fraksionet e saj dikur të fuqishme.

Ishiba, 67 vjeç, kryesoi në shumicën e sondazheve të opinionit, ku kjo ishte oferta e tij e pestë dhe, tha ai, e fundit për të udhëhequr LDP-në.

Fituesi u vendos nga një votim i brendshëm partiak dhe jo publik. Gara filloi me nëntë kandidatë përpara se të shkonte në balotazhin midis Ishiba dhe Sanae Takaichi, e cila konkurroi për t’u bërë liderja e parë femër e Japonisë.

Ishiba është në favor të lejimit të perandorëve femra – një çështje jashtëzakonisht e diskutueshme e kundërshtuar nga shumë anëtarë të LDP-së dhe qeveritë e njëpasnjëshme. /Telegrafi/