Site icon Telegrafi

Për shkak të parregullsive, anulohen dy teste me shkrim për infermier në QKUK

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), ka anuluar dy testet me shkrim për infermier, njërin të mbajtur më 06.05.2023 dhe tjetrin më 23.05.2023.

Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë në QKUK, Enlirat Duraku, i cili e ka publikuar edhe vendimin.

Sipas QKUK-së, ky vendim është marrë pasi Komisioni Përzgjedhës ka vlerësuar se ka pasur parregullsi gjatë mbarëvajtjes së testit.

“Drejtësia duket se ekziston më në fund! Faleminderit institucioneve relevante për korrektësinë dhe për marrjen parasysh të ankesave. Konkursi duhet të jetë transparent duke iu nënshtruar të gjitha kornizave ligjore, përfshirë edhe përmbajtjen e komisionit”, ka thënë Duraku, në një komunikatë për media.

Sipas tij, mjeku, administrata dhe as drejtorët nuk duhen të jenë pjesë as e komisionit e as i monitorimit të proceseve të testimit të infermierëve sepse “nuk dinë të vlerësojnë infermierët”.

“Shpresoj që konkursi i radhës të jetë i rregullt, ku secili kandidat do e ketë mundësinë dhe të jenë të barabartë, pavarësisht statusit social, përkatësisë apo afërsisë politike apo asaj farefisnore me individ me pushtet”, ka përfunduar Duraku. /Telegrafi/

Exit mobile version