Brendet e mëdha si Lidl, Coca-Cola dhe L’Oreal duhet të ndalojnë reklamat në mediat pro-Kremlinit në Ballkan, janë shprehur deputetët e Parlamentit Evropian në një letër drejtuar kompanive.
“Të 15 brendet duhet të rishikojnë me rigorozitet politikat e tyre të reklamimit për të siguruar që ato nuk financojnë, qoftë edhe pa dashje, degë të njohura për përhapjen e dezinformatave”, thuhet në letrën e dërguar nga eurodeputeti konservator bullgar, Andrey Kovatchev dhe 15 deputetë të tjerë.
Bëhet e ditur se letra i është drejtuar kompanive Lidl, Ahold Delhaize, Procter&Gamble, Coca-Cola, A1, Yettel, Ferrero, Heineken, Mars, Mondelez, L’Oreal, GSK, Bosch, Samsung dhe Amazon.
“Narrativat antidemokratike nga forcat keqdashëse janë kërcënim i rëndë për demokracinë tonë, veçanërisht në këtë vit zgjedhor”, tha Kovatchev.
Siç raportohet, zyrtarët e BE-së dhe ekspertë të dezinformimit kanë paralajmëruar për një valë në rritje të lajmeve të rreme në internet dhe përpjekjeve për të ndikuar në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, shkruan Politico, përcjell Telegrafi.
“Shumë organizata mediatike që promovojnë dezinformimin pro-Kremlinit, shpesh përdorin reklama të blera nga kompani me reputacion për të rritur besueshmërinë”, tha Kovatchev duke shpjeguar se shpesh këto brende nuk janë të vetëdijshme se përfundojnë duke i mbështetur kanalet e propagandës pro-ruse.
Organizata joqeveritare me bazë në Bruksel, The Balkan Free Media Initiative, raportoi se në vitin 2023 brende globale kanë shpenzuar qindra miliona euro në mediat serbe e bullgare që përhapnin propaganda dhe narrativa të mbështetura nga Kremlini për pushtimin e Ukrainës.
Madje, dy nga mediat më të njohura në Serbi, TV Pink dhe TV Happy, kanë transmetuar pretendime të rreme se Rusia për një kohë të gjatë “ka qenë nën agresion” dhe ka qenë “e detyruar” të kryejë një “operacion special ushtarak” në Ukrainë.
“Kompanitë duhet të kontrollojnë rregullisht reklamat e tyre për këtë problem. Dhe për shkak se financimi i propagandës dhe urrejtjes është i keq për të gjithë ne, duhet të kërkojmë një sistem reklamimi më transparent”, tha Claire Aitken, CEO e Check My Ads, organizatë me qendër në SHBA.
Pra, siç e shpjegojnë organizatat, fuqia e këtyre brendeve të njohura pa dashje i jep legjitimitet mediave dhe e përkeqëson përhapjen dhe ndikimin e dezinformatave.
Andaj, deputetët evropianë po u kërkojnë kompanive të anojnë nga e vërteta dhe të qëndrojnë larg platformave propagandistike.
Ndryshe, Lidl si një prej kompanive të prekura nga ajo letër, ka ulur ndjeshëm shpenzimet në kanalet serbe dhe ka ndaluar reklamat në TV Happy. /Telegrafi/