Policia e Kosovës njoftoi këtë të premte se ka parandaluar një rast të kontrabandës në veri të vendit.
Sipas njoftimit, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë (NjNSh) e Drejtorisë Rajonale të Kufirit-Veriu, rreth orës 03:00 derisa ishin në vëzhgim dhe kontrollim të terrenin në brezin kufitar – Jarinjë e Poshtme, kanë vërejtur lëvizje (drita të automjetit) të dyshimta në atë zonë.
“Policia tha se menjëherë ka organizuar një plan taktik me qëllim të ndaljes së atij automjeti. Kështu, në malet e fshatit Bistricë, ka arritur të ndalojë pesë persona të cilët dyshohet se kishin hyrë në territorin e vendit përmes rrugëve ilegale”, thuhet në komunikatën për media.
Ata janë hasur duke tentuar të fusin në Kosovë një automjet të ngarkuar në një rimorkio, duke i ikur obligimeve doganore.
“Rasti është duke u trajtuar nga njësitë përkatëse policore nga Drejtoria Rajonale Kufitare Veriu në koordinim me organet e drejtësisë dhe doganën”, bëhet e ditur tutje në njoftim. /Telegrafi/