Nga: Dashnor Kokonozi
Më se 30 vjet më parë, për një nga numrat e parë të Rilindjes Demokratike përktheva një artikull të gjatë të Erik Fromit nxjerrë nga një libër që sapo kisha blerë në Itali (Anatomia della distruttività umana), një libër i jashtëzakonshëm i shkruar nga një psikanalist marksist i zakonshëm. (E desha shumë atë libër edhe pse kushtonte ekuivalentin e 50 dollarëve, sa kisha gjithsej, dhe e keqja nuk më del as sot)
Nga dy artikuj që trajtonin sjelljen e diktatorëve me viktimat e tyre, Hitlerit dhe Stalinit, botova atë që i kushtohesh këtij të dytit. Detyrim i aktualitetit. Kishte që dëgjonin për herë të parë të flitej për krimet e Stalinit.
Kujtoj se aty mësova se sjellja e Stalinit ndaj viktimave të tij ishte jashtëzakonisht e çuditshme. Ai ishte mjaft i përzemërt me ta. Shpesh një natë më parë i ftonte edhe në shtëpinë e vet të hanin supë (kasha), të cilën e kishte zakon t’ua ndante vetë me garuzhde të ftuarve.
Në çastin e ndarjes, pas ndonjë mbledhjeje me ata që kishte planifikuar të vriste, nuk mungonte t’u thoshte fjalë të mira apo t’i uronte për gjësendi, tek i përcillte te dera.
Të nesërmen ata nuk jetonin më. Nëse jetonin, kjo qe fatkeqësi edhe më e madhe. Ata do të ishin nën tortura të tmerrshme të urdhëruara nga ai vetë.
M’u kujtua një gjë e tillë këto ditë, kur po lexoja diçka për gazetarin e juristin Zyhdi Herri, i cili me Enver Hoxhën mund të jetë njohur mbase që nga Liceu i Korçës.
Në kujtimet e familjarëve të tij thuhet se pak ditë para arrestimit ai kishte hyrë në shtëpi mjaft i gëzuar, sepse kishte takuar Enver Hoxhën i cili i kishte thënë se i lexonte të gjitha shkrimet e tij (Herri shkruante për gazetën Bashkimi) dhe i pëlqenin shumë.
Në ditët që do të vijonin, ai do të vritej pa gjyq …
Kam rreshtuar në shënimet e mija mjaft paralele të tilla.
Një tjetër është ajo kur pak para arrestimit e vënies nën tortura, Kadri Hazbiu mori një kartolinë urimi për ditëlindjen nga … Enver Hoxha.
Dua të kthehem te rasti i Herrit.
Është viti 1951 kur ai përgëzohet dhe pushkatohet nga Hoxha dhe unë me sa di ende nuk kishin dalë dokumentet mbi të vërtetat e viktimave të Stalinit, që flisnin për mekanizmin satanik e pervers të vrasjeve të tij. Kujtimet e Trockit dhe veçanërisht libri i tij Stalin (1946), nuk besoj që Hoxha ta kishte lexuar.
Si shpjegohet që të dy bënin një lojë aq mizore me viktimat e tyre?