Java e parë e korrikut në Kosovë është karakterizuar me takime të shumta nga homologët e krerëve të shtetit, dhe zyrtarë të tjerë evropianë.
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel, të martën qëndruan në Prishtinë, ku u pritën në takim nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. Temë diskutimi ishte situata në Kosovë, dialogu dhe zhvillimet e fundit.
Në vazhdën e zhvillimeve në vend, për vizitë në Kosovë të enjten ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ai u prit në takim nga presidentja Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca, por jo edhe nga kryeministri Kurti, i cili refuzoi që ta takojë pas disa hatërmbetjeve të fundit mes tyre.
Java që po lëmë pas përveç zhvillimeve të shumta, u karakterizua me mot të paqëndrueshëm, ku nuk munguan reshjet dhe shkarkime rrufesh. E syri i fotoreporterit të Telegrafi.com kapi këto momente të veçanta.