Site icon Telegrafi

Paralajmërimet e Qeverisë për hapjen e urës së Ibrit, ironizon Musliu

Foto: Arkiv

Pasi testimi për stabilitetin infrastrukturor të urës së Ibrit në Mitrovicë ka përfunduar, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Infrastrukturës është në pritje të raportit nëse ura është stabile për qarkullimin e automjeteve.

E, në lidhje me këtë ka ironizuar deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu.

Ajo përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka publikuar një fotografi ku shihet vetë ajo dhe në sfond një punishte me mbishkrimin “Edhe dy tre dite dalin rezultatet e testit”.

Ndërkaq, dy ditë më parë edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka reaguar ndaj veprimeve të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës me aleatët ndërkombëtarë.

Lexo po ashtu Çitaku: Urat që i duhen Kosovës janë urat me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n

Çitaku theksoi se urat që i duhen Kosovës janë urat me SHBA, BE dhe NATO.

“Urat që na duhen janë ato që e fuqizojnë integritetin dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Urat që i kemi, i ecim e shetisim, sepse jemi bashkë me aleatët. Më shumë përmbajtje, e më pak simbolikë”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

E, i mjenjëhershëm ishte reagimi i deputetit të LVV-së, Adnan Rrustemi i cili në Facebook ka shkruar se Çitaku në emër të fuqizimit të subjektivitetit solli Asociacionin e komunave me shumicë Serbe.

“Në emër të fuqizimit të Subjektivitetit e krijuan Listën Serbe dhe Radoiçiqin. Në emër të fuqizimit të subjektivitetit e krijuan Gjykatën Speciale për të gjykuar UÇK-në.

Në emër të fuqizimit të subjektivitetit inicuan shkëmbimin e territoreve me Serbinë për t’ja falur veriun e Kosovës Serbisë. Subjektiviteti i jashtëm është aq i fortë sa është sovraniteti i brendshëm”, ka shkruar Rrustemi.

Ai po ashtu tha se “Në pushtet bënin dëm duke vepruar kurse në opozitë po bëjnë dëm duke minuar punën e qeverisë”.

Ndryshe, zëvendës ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi të enjten pas përmbylljes së këtij procesi presin nga kompania e kontraktuar një raport nëse ura është stabile për qarkullim të automjeteve.

Lexo po ashtu Durmishi përcjell testimin e Urës së Ibrit: Jemi në koordinim me KFOR-in

Mirëpo, një veprim të tillë të Qeverisë së Kosovës nuk e kanë mirëpritur nga Bashkimi Evropian (BE), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe shtetet e QUINT-it.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës ende janë në fuqi dhe në varësi nga zhvillimet ato mund të rritën ose zvogëlohen.

Lexo po ashtu Masat ndaj Kosovës, Stano: Ato mund të rriten ose zvogëlohen, varësisht nga zhillimet

Stano ka thënë se partnerët ndërkombëtarë të Kosovës po i thonë administratës në Prishtinë që të mos përfshihet në këtë seri hapash kundërproduktivë, negativë, të njëanshëm dhe të pakoordinuar.

E, nga Qeveria e Kosovës të enjten thanë se masat ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta dhe se ato nuk janë zgjidhje. /Telegrafi/

Exit mobile version