Site icon Telegrafi

​Para-aplikimi në SEPA, guvernatori i BQK-së diskutime me kreun e DG FISMA

Guvernatori i BQK-së Ahmet Ismaili dhe zëvendës guvernatori Dardan Fusha kanë diskutuar sot gjatë një takimi me John Berrigan, drejtor i përgjithshëm për stabilitet financiar, shërbime financiare dhe tregjeve të kapitalit në DG FISMA mbi para-aplikimin e BQK-së për anëtarësim në Zonën e Unike të Pagesave në Euro (SEPA), që u dorëzua më 14 tetor 2024.

Diskutimet u përqendruan në reformat dhe përparimin e rëndësishëm nga BQK në harmonizimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë përgatitjen e ndryshimeve ligjore të nevojshme që mundësuan para-aplikimin për anëtarësim në SEPA.

Gjatë takimit, DG FISMA konfirmoi pranimin e para-aplikimit të BQK-së duke njohur punën e madhe të kryer nga BQK-ja për të arritur këtë moment të rëndësishëm. Para-aplikimi gjithashtu është dorëzuar në Këshillin Evropian të Pagesave (EPC).

Takimi theksoi nevojën për miratimin përfundimtar të dy ligjeve kryesore – Ligjin për bankat dhe Ligjin për shërbimet e pagesave që do t’i lejojnë DG FISMA të ofrojë një vlerësim të plotë, me komentet dhe rekomandimet përkatëse gjatë kësaj faze fillestare.

DG FISMA rikonfirmoi zotimin e saj për të trajtuar në mënyrë efikase para-aplikimin, duke pritur pranimin e legjislacionit të miratuar përfundimisht për të ofruar udhëzime të mëtejshme mbi hapat pasues që duhen ndjekur drejt anëtarësimit përfundimtar në SEPA.

BQK shprehu gatishmërinë për të adresuar me prioritet çdo sugjerim nga DG FISMA, ndërkohë që gjithashtu shprehu besimin se Kuvendi në përputhje me procedurat ligjore do të përshpejtojë miratimin e projektligjeve.

Pas përfundimit të kësaj faze, procesi do të vazhdojë në Këshillin Evropian të Pagesave (EPC), ku një vendim përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës në SEPA mund të pritet vitin e ardhshëm si pjesë e iniciativës më të gjerë të integrimit të Ballkanit Perëndimor.

BQK shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme nga Komisioni Evropian, në veçanti DG FISMA dhe DG NEAR, gjatë këtij procesi të rëndësishëm. BQK gjithashtu shprehu mirënjohjen për mbështetjen nga Banka Botërore dhe partnerë të tjerë për arritjen e dorëzimit të para-aplikimit.

Integrimi në SEPA pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike, duke përfshirë një kursim vjetor të vlerësuar rreth 55 milionë euro nga tarifat për transferet ndërkombëtare.

Ky takim pasoi mbledhjen e 14 tetorit 2024, ku guvernatori Ismaili realizoi takimin me Koopman nga DG NEAR dhe një takim tjetër me drejtorin e Përgjithshëm të EPC-së së bashku me guvernatorë të tjerë rajonalë, si pjesë e procesit të integrimit rajonal të udhëhequr dhe mbështetur fuqishëm nga BE. Plani për Rritje i filluar së fundi është një ndër instrumentet kryesore që synon për arritjen e këtyre objektivave.

Exit mobile version