Paraprakisht, ndaj dhimbjen dhe shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve, miqve dhe kolegëve të dëshmorit të kombit Afrim Bunjaku.
Së dyti, duke u përulur për sakrificën sublime të dëshmorit/ve të Atdheut, më duhet të përsëris thirrjen ulëritëse: vëllezër, qëndroni vigjilent, si dhe dy mësime të përbotshme:
– E keqja kur harrohet, përsëritet edhe më dhunshëm dhe më përgjakshëm;
– Paqja, siguria dhe demokracia nuk janë dhurata të përjetshme.
– Së treti, riciklimi i bandave mercenare të frymëzuara nga ministri i propagandës së Millosheviqit si dhe nga Rusia putiniste, do të duhet të na shërbejnë si sirena alarmi për të qëndruar zgjuar, punuar dhe luftuar çdo ditë kundër të keqes së përbashkët, kundër rikthimit te errësira e urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore mes popujve të vendeve të Ballkanit.
– Së katërti, me përulësinë e një eksperti, me eksperiencë më shumë se modeste në çështjet e sigurisë kombëtare, rajonit, NATO-s etj., do t’i këshilloja publikisht dhe vëllazërisht aktorët politikë dhe faktorët institucionalë në Prishtinë: të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme, si dhe përgjegjësive shtetërore duke i dhënë jetë platformës dy shtete sovrane, një komb i vetëm.
Thënë këtë, do duhet me një zë të vetëm t’ju konfirmojnë dhe provojnë partnerëve strategjikë (ShBA, NATO, BE) se kjo qasje e vonuar nuk kërcënon asnjë vend, sigurisht as Serbinë, përkundrazi do të kontribuojë për paqen afatgjatë, stabilitetin demokratik, si dhe agjendën euroatlantike të rajonit.
Së fundmi, por e para nga rëndësia, përtej vendosjes sa më shpejt para drejtësisë të banditëve dhe diskreditimit ndërkombëtar të frymëzuesve, besoj edhe më fortë se jo lufta, por paqja mes dy vendeve dhe agjenda euroatlantike mbeten misioni i vetëm i ardhmërisë së qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë.
Me këtë rast, do të doja të përcillja publikisht edhe një mesazh për politikanët: sakrificat sublime, përulësia fisnike dhe përkushtimi i spikatur e ushtarakëve, policisë, inteligjencës dhe familjet e tyre, ndaj kombit, meritojnë të trajtohen përditë me dinjitet.
Lavdi dëshmorëve të Atdheut dhe nderim sakrificave për liri në shekuj.
Zoti e bekoftë paqen dhe interesat mbarëkombëtare të shqiptarëve.