Papa është shtruar në spital për ta trajtuar bronkitin, ka njoftuar Vatikani.
Bëhet e ditur se ai është dërguar në Poliklinikën Gemelli të Romës.
“Papa Françesku do të pranohet në Poliklinikën Agostino Gemelli për testet e nevojshme diagnostike dhe për të vazhduar trajtimin spitalor për bronkitin e tij”, thuhet në njoftim.
Por, nuk është e qartë se për sa kohë do të qëndrojë atje.
Raportohet se udhëheqësi 88-vjeçar i Kishës Katolike u diagnostikua me bronkit të enjten e kaluar, por që atëherë ka vazhduar aktivitetet e tij, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Megjithatë, gjatë dy aktiviteteve të tij të përgjithshme në Vatikan, Papa Françesku i kërkoi një ndihmësi të lexonte fjalët e tij të përgatitura.
“Unë, me bronkitin tim, nuk mund të lexoj”, tha Papa.
“Shpresoj që herën tjetër të mundem”, shtoi ai.
Ndryshe, para se të shkonte në spital, Papa u takua me kryeministrin sllovak Robert Fico dhe kreun e CNN Mark Thompson.
Françeskut iu hoq një pjesë e një mushkërie kur ishte i ri dhe ka luftuar për një kohë të gjatë me probleme shëndetësore – duke përfshirë periudhat e gjata të bronkitit.
Ai përdor një karrige me rrota dhe së fundmi u rrëzua dy herë, duke lënduar krahun dhe mjekrën.
Spitali Gemelli i Romës, më i madhi në qytet, ka një dhomë të veçantë për trajtimin e Papëve.
Françesku kaloi nëntë ditë atje në qershor 2023, kur iu nënshtrua një operacioni për një hernie abdominale. /Telegrafi/