Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, ka dërguar një shkresë zyrtare në Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH), ku kërkon informacion mbi akuzat që kreu i PD-së, Sali Berisha, ka ngritur ndaj tij.
Në shkresën drejtuar SHISH, Majko kërkon sqarim nëse ai ka qenë subjekt i ndonjë përgjimi të mundshëm nga ky organ, veçanërisht në lidhje me akuzat për biseda për blerje votash.
Majko shprehet se, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ka të drejtë të kërkojë shpjegime mbi çdo çështje që mund të ndikojë në detyrën e tij dhe në imazhin e tij publikik. Ai kërkon një përgjigje të qartë dhe të dokumentuar nga SHISH për të hedhur dritë mbi këtë çështje që ka ngritur dyshime mbi veprimet e tij.
Në konferencën për shtyp më datë 6 janar, Berisha akuzoi deputetin socialiste Pandeli Majko si kriminel elektoral. Ai aludoi edhe për një përgjim të SHISH ndaj Majkos në Kukës ku flitej për pazare elektorale. Këto deklarata erdhën pasi Majko kaloi nga drejtues politik qarku i PS-së në Kukës, në një nga zonat e Tiranës.