Panasonic, kompania japoneze synon që të rrisë prodhimin e qelizave të baterive të përdorura në veturat elektrike duke ndërtuar të paktën dy fabrika të reja në Amerikën e Veriut, deklaruan nga kompania gjatë së enjtes.
Kompania, njësia e energjisë e së cilës prodhon bateri për Tesla-n, kërkon të rrisë kapacitetin e baterisë së saj automatike në 200GwH në vit deri në mars 2031, rreth katër herë më shumë se niveli i saj në fund të marsit të këtij viti, tha gjiganti japonez në një prezantim në faqen e internetit.
Panasonic planifikon ndërtimin e të paktën dy fabrikave të reja për prodhimin e baterive “4680” në Amerikën e Veriut deri në vitin 2030, konfirmoi një zëdhënës për Reuters, përcjell Telegrafi.
Shefi ekzekutiv i kompanisë, Yuki Kusumi tha se Panasonic ende nuk ka vendosur se në cilin vend të Amerikës së Veriut do të rrisë kapacitetin e prodhimit.
“Mund të jetë Nevada, mund të jetë Kansas ose mund të jetë diku tjetër”, tha Kusumi gjatë një konference për shtyp pasi dha një prezantim rreth strategjisë së kompanisë. /Telegrafi/