Drejtoria për Zhvillim Ekonomik po merr pjesë në Panairin e Turizmit, i cili po zhvillohet më 12-13 shkurt 2025 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Në njoftimin për media thuhet se kjo është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar potencialin turistik të Deçanit, duke veçuar bukuritë natyrore dhe mundësitë unike që ofron rajoni ynë për ecje malore, aventurë dhe turizëm të qëndrueshëm.
“Si pjesë e shtegut Via Dinarica – Kosova, do të prezantojmë atë që e bën Deçanin një destinacion të jashtëzakonshëm. Nga malet e mahnitshme deri te kultura dhe tradita e pasur, Deçani është një vend ku natyra dhe historia takohen për të ofruar një përvojë të paharruar”, thuhet në njoftim.
Kjo pjesëmarrje mundësohet nga Via Dinarica Kosova dhe mbështetet nga NaturKosovo, një iniciativë e financuar dhe promovuar nga AICS Tirana, me mbështetjen e Ambasadës së Italisë në Prishtinë.
Projekti zbatohet nga Volontari nel Mondo RTM dhe CELIM Milano, në bashkëpunim me Fondacionin Utalaya, CAI – Club Alpino Italiano, Corpo Nazionale Soccorso Alpino e Speleologico (CNSAS), AITR – Associazione Italiana Turismo Responsabile dhe Agenzia Italiana per la Cooperazione allo Sviluppo. /Telegrafi/