Site icon Telegrafi

Pamje e Lipjanit të vitit 1902, e shkrepur nga studiuesi Hugo Grothe (Foto)

Robert Elsie (1950-2017)

Shkencëtari, gjeografi, orientalisti dhe shkrimtari gjerman Albert Lui Hugo Grote (Albert Louis Hugo Grothe, 1869-1954), lindi në Magdeburg dhe kaloi një pjesë të rinisë në Ballkan. Pas studimeve në gjashtë universitete mbaroi një doktoraturë në drejtësi (dr. iur.) në Rostok dhe një doktoraturë tjetër në gjeografi dhe etnologji (dr. phil) në Vyrcburg në vitin 1902. I ati i Hugo Grotës ishte financier i cili kontribuoi në ndërtimin e hekurudhës së Bagdadit, dhe mbase për këtë arsye gjatë periudhës 1896-1916, Hugoja kaloi shumë kohë duke udhëtuar në Perandorinë Osmane dhe në botën islame, në veçanti si korrespondent i gazetës së Këlnit (Kölnische Zeitung).

Lipjani më 1902

Në vitin 1900 Grote themeloi Shoqatën Lindore (Orientalische Gesellschaft) në Mynih, dhe mori pjesë në krijimin e disa shoqatave kulturore të tjera, si për shembull Shoqata Kulturore Gjermane (Deutsche Kulturpolitische Gesellschaft) dhe Instituti për Studime të Jashtme dhe për Gjermanë Jashtë Shtetit (Institut für Auslandskunde und Auslandsdeutschtum) të themeluar në nëntor 1918 si dhe, tridhjetë vjet më vonë në vitin 1948, Instituti për Studime të Jashtme dhe të Kulturës (Institut für Auslandskunde und Kulturwissenschaft) në Shtarnberg, ku vdiq.

Dr. Hugo Grote ishte autor i librave të shumtë mbi udhëtimet e tij në Perandorinë Osmane dhe në Lindjen e Mesme, në veçanti botime për Tripolitaninë, Turqinë, Rumaninë, Persinë dhe, më vonë, për ngulime gjermane jashtë Gjermanisë. Me interes për Shqipërinë dhe për Ballkanin është libri i tij Durch Albanien und Montenegro: zeitgemäße Betrachtungen zur Völkerkunde, Politik und Wirtschaftswelt der westlichen Balkanhalbinsel (Nëpër Shqipëri dhe Malin e Zi: vëzhgime bashkëkohore mbi etnologjinë, politikën dhe ekonominë e pjesës perëndimore të Gadishullit Ballkanik), Mynih 1913. Ky libër përqendrohet mbi dy udhëtime. Udhëtimi i parë në vjeshtë të vitit 1902 e çoi nga Manastiri për në Ohër, Elbasan dhe Durrës. Udhëtimi i dytë dhjetë vjet më vonë, në vjeshtë të vitit 1912, e çoi nga Sarajeva nëpër Malin e Zi (Podgoricë, Tivar, Ulqin) për në kufirin e Shqipërisë. Për shkak të Luftës së Parë Ballkanike dhe në veçanti për shkak të sulmit ushtarak malazez që po zhvillohej kundër Shkodrës, Grote ishte i detyruar të pezullonte udhëtimin në Ulqin. Gjithsesi, libri përmban edhe fotografi të Shqipërisë së Veriut dhe të Kosovës. Nga ky libër është marrë ky koleksion fotografish (mund ta shihni: KËTU). /elsie.de/Telegrafi/

Exit mobile version