Telegrafi

BE: Kosova dhe Serbia s’janë të gatshme të bëjnë kompromis për dinarin

Bashkimi Evropian ka thënë se Kosova e Serbia s’kanë gatishmëri për të bërë kompromise për të arritur dakordim për çështjen e pagesave cash në Kosovë, pas dështimit të takimit të shtatë të palëve për çështjen e dinarit.

Zyra për informim e BE-së, në një deklaratë për media, ka theksuar se edhe pse palët kanë tejkaluar disa dallime, ende nuk kanë arritur një marrëveshje për aspekte të caktuara.

“Përpjekjet janë bërë për të siguruar një zgjidhje e përkohshme e qëndrueshme për njerëzit më të prekur nga Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operimet cash,” thotë deklarata.

“Dialogu i zhvilluar në Bruksel mes datave 28 shkurt dhe 15 maj ka përfshirë disa takime ku të dyja palët kanë ekspozuar qëndrimet e tyre dhe kanë kërkuar mundësi bashkëpunimi.”

Gjatë këtyre diskutimeve, Bashkimi Evropian ka paraqitur një sërë ide dhe propozime për të ndihmuar në ndërtimin e konsensusit.

Si pjesë e këtyre përpjekjeve, u arrit një marrëveshje për krijimin e një entiteti të ri biznesor në mbështetje të flukseve financiare mes dy vendeve.

Ky entitet i ri, që do të operojë në përputhje me ligjet e Kosovës, duhet të merret me shpërndarjen e përkohshme të ndihmës financiare nga Serbia.

Lexo po ashtu Përfundon pa marrëveshje takimi për dinarin, Bislimi: Nuk pres takime të tjera për këtë temë

Megjithatë, ngërçi ka mbetur në disa pika të debatueshme.

“BE-ja prezantoi një propozim të kompromisit që nuk u pranua nga palët për shkak të ndarjeve lidhur me shtrirjen e aktiviteteve të njësisë së re, fushëveprimin e përfituesve të këtij entiteti, dhe ndihmën financiare nga Serbia për institucionet e mbështetura nga Serbia në Kosovë”, thuhet në reagim.

Takimi i fundit nuk solli asnjë afrim të pozicioneve.

“Sot dëshmoi që palët nuk ishin të gatshme të gjenin një zgjidhje të përbashkët,” njofton BE-ja, duke shprehur zhgënjimin se asnjë marrëveshje nuk u arrit në takimin e fundit.

Bashkimi Evropian ka theksuar se kjo situatë reflekton një mungesë të dukshme të gatishmërisë për të gjetur një zgjidhje që do të përfitojnë të dyja palët në të ardhmen./Telegrafi/