Thomas Tuchel do të përfitojë një pagë të majme pas nënshkrimit me Bayern Munichun, megjithatë nuk është sa shuma që ka përfituar nga kontrata me Chelsean.
Të premten e kaluar, 49-vjeçari u zyrtarizua si trajner i bavarezëve, të cilët e shkarkuan Julian Nagelsmannin nga postin.
Tuchel ka nënshkruar kontratë prej dy vjet e gjysmë, nga e cila do të përfitojë rreth 12 milionë euro në sezon – transmeton AS njoftimin e Sky Germany, ndërsa pagës së gjermanit gazeta spanjolle i referohet si ‘galaktike’.
Rroga e tij është dukshëm më e lartë në krahasim me paraardhësin Nagelsmann, i cili paguhej rreth shtatë milionë euro në Allianz Arena.
Megjithatë, kjo pagë është shumë më e vogël në krahasim me atë që merrte te Chelsea, ku sipas Daily Mail, paguhej 14.7 milionë euro në vit dhe ishte ndër trajnerët më të paguar në Ligën Premier. /Telegrafi/