Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim tre nga pesë ish-presidentët e vendit. Osmani ka pritur në takim ish-presidentët, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli dhe Atifete Jahjaga.
E para e shtetit tha se i ka ftuar ish presidentët për të krijuar një kulturë të re institucionale të konsultimit.
“I kam ftuar që të tre për të krijuar një kulturë të re institucionale e cila është e domosdoshme për të ecur përpara. Po ashtu, për të krijuar një model të ri të konsultimit”, tha ajo.
Krahas kësaj, Osmani çmoi edhe rolin e secilit ish presidentë në shtet-formimin e Kosovës.
“Besoj shumë se me secilin do të bashkojmë forcat për një të ardhme më të mirë”, tha ajo.
Kujtojmë se ish-presidenti Hashim Thaçi gjendet në Hagë, pas ngritjes së aktakuzës nga Gjykata Speciale. /Telegrafi/