Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar mbështetjen e fortë të NATO-s dhe Holandës për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.
Osmani ka postuar në Facebook fotografi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe kryeministrin e Holandës, Dick Schoof, të cilët i ka takuar në margjinat e Konferencës për Siguri në Mynih.
“Me dy përkrahës të fuqishëm të paqes e sigurisë në Kosovë: Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe Kryeministrin e Holandës, Dick Schoof”, ka shkruar Osmani në Facebook.
E premja ka qenë ditë e ngarkuar për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin, Albin Kurti dhe ministren e Jashtme, Donika Gërvalla.
Të tre janë duke marrë pjesë në Konferencën vjetore të Sigurisë që mbahet në Munih prej 14 deri më 16 shkurt. /Telegrafi/