Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se roli i ShBA-ve ka qenë përcaktues për fatin e Kosovës, ndaj SHBA-ja është në ADN-në e suksesit të shtetit tonë.
“Në eventin qendror me rastin e 20-vjetorit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në prag të Samitit SHBA-Afrikë, me pjesëmarrjen e Presidentit George W. Bush, njëherit themelues i MCC-së, fola për shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, me ç ‘rast rikonfirmova rolin e pakontestueshëm të SHBA-ve për lirinë dhe shtetndërtimin”, ka shkruar Osmani në një postim në “Facebook”.
Presidentja ka shtuar se MCC-ja po vazhdon të ofrojë mbështetje të çmueshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Në të njëjtën frymë sot, MCC-ja po e vazhdon këtë trashëgimi duke ofruar mbështetje të çmueshme për zhvillimin ekonomik e të qëndrueshëm të Kosovës duke e bërë vendin tonë pjesë të pandashme të sukseseve, të cilat i përfaqëson SHBA-ja kudo në botë”, është shprehur Osmani. /Telegrafi/