Site icon Telegrafi

Osmani: Letonia mbetet mike dhe aleate e fortë e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, është takuar me Presidentin e Letonisë, Egils Levits, me të cilin ka biseduar mbi situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe në rajon, si dhe zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë.

Gjatë takimit presidentja Osmani ka falënderuar Presidentin Levits për angazhimin e tij dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën në skenën ndërkombëtare, përfshirë në proceset e anëtarësimit në strukturat euroatlantike dhe organizata të tjera ndërkombëtare, ndërsa ka theksuar se Letonia mbetet mike dhe aleate e fortë e Republikës së Kosovës.

Në komunikatën nga Presidenca thuhet se Osmani e informoi Presidentin Levits mbi situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe në rajon, si dhe zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë.

Ajo tha se Kosova vazhdon të kontribuojë në mënyrë aktive në procese të paqes dhe stabilitetit.

Presidentja Osmani dhe Presidenti Levits u dakorduan për intensifikim të bashkëpunimit në muajt në vazhdim për ta avancuar procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ku Letonia merr zyrtarisht Presidencën që nga muaji maj i këtij viti. /Telegrafi/

Exit mobile version