Site icon Telegrafi

Osmani nga Praga: Kemi optimizëm për vizat, por duhet të jemi të kujdesshëm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media në Pragë, ka folur edhe për takimin e 13 tetorit ku pikë e rendit të ditës është edhe çështje e vizave për Kosovën.

Ajo për këtë është shprehur me optimizëm, por ka thënë se duhet jemi të kujdesshëm sa i përket atij takimi, pasi aty nuk përfundon gjithçka dhe se ka shumë hapa të tjerë deri në hyrjen në fuqi të lëvizjes pa viza.

Osmani ka folur edhe për takimet me zyrtarët e shteteve mosnjohëse që i ka pasur në këtë samit.

“Sa i përket kryeministrit të Greqisë e kam takuar edhe dy herë më herët në takime bilaterale të detajuara për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pra është hera e tretë që po e takoj, ndërkaq kryeministrin e Sllovakisë është hera e parë që e takoj. Këto janë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, por të dyja kanë qëndrime konstruktive sepse asnjëherë nuk e kanë bllokuar rrugën evropiane të Kosovës”, tha presidentja raporton televizioni publik.

“Kisha mundësinë të kërkojë përkrahje përtej tyre me disa prej çështjeve me të cilat po ballafaqohemi tani dhe po shpresoj që jemi në rrugë të drejtë por në fund këto do të jenë vendime të institucioneve të këtyre dy shteteve, ne kemi shpjeguar argumentet tona se pse është me rëndësi Kosova të ecë në mekanizmat ndërkombëtar. Do të presim edhe vendimet e tyre. Çka është me rëndësi këto shtete asnjëherë nuk e kanë e bllokuar liberalizimin e vizave për Kosovën edhe pjesë janë shtete mosnjohjes në fakt na kanë përkrahur edhe publikisht”, tha Osmani.

Osmani është shprehur se presin që takimi i 13 tetorit ku takohet grupi punues për viza do të dëgjohet nga të gjitha këto shtete duke na përkrahur zëshëm, pavarësisht çfarë qëndrimi kanë sa i përket pavarësisë.

“Shpresojmë, natyrisht jemi optimist por edhe të kujdesshëm sa i përket atij takimi, po nuk përfundon gjithçka aty se ka shumë hapa të tjerë siç e dini deri në hyrjen në fuqi. Çka është me rëndësi është që sot një rivlerësim i Komisionit Evropian, i është dërguar të gjitha shteteve anëtare është jashtëzakonisht pozitiv, dhe në të njëjtën kohë ky rikonfirmimim i KE-së i njofton të gjitha shtete anëtare edhe për të gjitha reformat që janë kryer këtë 1 vit e gjysme duke i vlerësuar ato si reforma pozitive”, tha ajo.

Osmani bëri me dije se në të gjitha takimet që ka pasur,  homologët e kanë potencuar se sa shumë i vlerësojnë reformat që Republika e Kosovës i ka ndërmarr përgjatë këtij një viti e gjysmë.

“Për shtetet skeptike që kanë qenë më herët sa i përket vizave, reformat kanë qenë determinuese në vendimin e tyre dhe këtë e kanë thënë secili prej tyre në këto takime”, deklaroi Osmani.

Exit mobile version