Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot realizoi bisedë telefonike me zv. kryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Marija Gabriel, njoftojnë nga MPJ.
“Osmani e uroi për emërimin e saj në këtë funksion, duke shprehur gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh, në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe vlerave europiane si dhe në interes të qytetarëve të të dyja vendeve.
Gjatë bisedës u theksua rëndësia e vazhdimit të dialogut politik, rivitalizimit të bashkëpunimit ndër-resorial dhe zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Miqësisë, si dhe të Protokollit të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar”, thuhet në njoftimin e MPJ-së./Telegrafi/