Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim shefin e EULEX-it, z. Giovanni Pietro Barbano, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale në vend.
Në takim u diskutua lidhur me zhvillimet e fundit të sigurisë dhe sundimit të ligjit, me theks të veçantë në veri dhe në vijën kufitare me Serbinë.
Sipas komunikatës, presidentja Osmani dhe shefi i EULEX-it Barbano diskutuan edhe për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe EULEX-it, brenda mandatit të EULEX-it për monitorim, mentorim dhe këshillëdhënie, transmeton Telegrafi.
Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Republikës për zbatimin e rendit dhe ligjit, si dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit. /Telegrafi/