Site icon Telegrafi

Osmani dhe Kurti në Prekaz: Falë Jasharajve, ne sot festojmë ditën e çlirimit

Në ditën e çlirimit të Kosovës nga okupatori serb, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti , kanë bërë homazhe tek varri i komandantit Adem Jashari në Prekaz.

Osmani, shprehi mirënjohjen për të gjithë dëshmorët e UÇK-së, duke potencuar faktin se falë tyre ne sot festojmë 12 qershorin, ditën e çlirimit.

“Jemi këtu në Prekaz në ditën kur të gjithë ne, shprehim mirënjohjen tonë të thellë për të gjithë ata që ranë për liri. Mirëpo këtu në Prekaz ku u vulos liria jonë, me sakrificën dhe trimërinë e komandantit legjendar Adem Jasharit dhe të gjithë familjes Jashari. Duhet të tregojmë edhe një herë që e kaluara jonë asnjëherë nuk duhet të harrohet përkundrazi, ajo gjithnjë na shërben si një fanar ndriçues për ndërtimin e shtetit tonë. Nga këtu shprehim nderimin për të gjithë dëshmorët e UÇK-së, të cilët vlerën e lirisë e vendosën para jetës së tyre, që ne sot ta gëzojmë këtë ditë 12 qershorin, ditën e lirisë së Kosovës ”, tha ajo.

Ndërsa kryeministri Kurti e quajti Prekazin si kryeqytet të kryengritjes së shqiptarëve, duke shtuar se nuk mund të kujtohet e madje as të mendohet lufta e UÇK-së pa Jasharajt.

“Lufta Çlirimtare nuk mund të kujtohet, të mendohet e as të paramendohet nga askush, pa Jasharët. Tre breza luftuan tri ditë, që sot ne e njohim si Epopeja e UÇK-së. Prekazi heroik është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare, andaj sot iu themi të gjithë shqiptarëve, urime 12 qershori, dita e çlirimit, që filloi pikërisht këtu tek sakrifica dhe flijimi i familjes së gjerë Jasharaj”, u shpreh Kurti.

Krerët shtetëror fillimisht kanë bërë sot homazhe tek varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe ish-veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

23-vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze./Telegrafi/

 

Exit mobile version